Udhëzues
Si t'i mbani si të reja
Tekstili i mirë nuk prishet nga përdorimi, por nga larja e gabuar. Këto janë rregullat që ndjekim vetë, dhe ato që u themi hoteleve që na blejnë prej vitesh.
Lajini para përdorimit të parë
Larja e parë heq mbetjet e prodhimit dhe e zbut pëlhurën. Është edhe momenti kur pambuku tkurret sa do të tkurret — pas kësaj, masa qëndron.
30–40 °C mjafton për pambukun e shtëpisë
Uji i nxehtë nuk pastron më mirë; vetëm i konsumon fijet dhe zbeh ngjyrat. Ruajeni larjen 60 °C për rastet kur duhet vërtet dezinfektim.
Gjysma e detergjentit që përdorni sot
Doza e tepërt nuk shpëlahet dot plotësisht. Mbetja e saj i bën peshqirët të rrëshqasin mbi ujë në vend që ta thithin, dhe çarçafët të ashpër.
Zbutësin lëreni jashtë peshqirëve
Zbutësi lë një shtresë silikoni mbi fijen. Te peshqirët kjo ul thithjen ndjeshëm. Nëse doni butësi, shtoni gjysmë gote uthull të bardhë te shpëlarja.
Mos e mbushni tamburin plot
Pëlhura ka nevojë për hapësirë që të lëvizë. Një tambur i mbushur nuk lan mirë dhe i rrudh fijet mes tyre.
Thani në hije, hiqini pak të lagura
Dielli i drejtpërdrejtë i zbeh ngjyrat dhe e thyen fijen. Nëse i hiqni pak të lagura dhe i shtrini mirë, hekurosja bëhet e panevojshme te shumica e çarçafëve.
Ruajini ku marrin frymë
Jo në qese najloni. Rafti prej druri ose një çantë pambuku i mban pa erë dhe pa lagështirë. Palosini pa i shtrënguar shumë, që të mos mbeten shenjat e palosjes.
Për hotele dhe bujtina
Lavanderia industriale i nënshtron tekstilet një cikli shumë më të ashpër se ai i shtëpisë. Artikujt e linjës hotel janë zgjedhur pikërisht për këtë, dhe për ta deklarojmë temperaturën maksimale dhe tkurrjen që kemi matur. Shihni faqen për biznesin.